
Lezhë – Një incident mes policisë dhe një të riu është regjistruar mesditën e sotme në aksin Lezhë–Milot, ku tensioni ka përfunduar me përdorimin e armës nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit.
Sipas burimeve paraprake, i riu nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar automjetin në një pikë kontrolli të ngritur nga policia, duke vazhduar lëvizjen me shpejtësi të lartë në drejtim të Milotit.
Në përpjekje për ta ndaluar, policia ka qëlluar me armë në drejtim të mjetit, për ta neutralizuar dhe ndaluar rrezikun e mundshëm. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar nga të shtënat.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit, ndërsa i riu është identifikuar dhe pritet ndalimi i tij. Nuk dihet ende nëse ai kishte precedentë penalë apo po transportonte mallra të paligjshme.
Policia e Shtetit ka bërë me dije se do të ketë një njoftim zyrtar më të detajuar pas përfundimit të veprimeve hetimore.