
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lëshuar akuza të forta ndaj vendeve perëndimore, duke i cilësuar veprimet e tyre si një formë e re kolonializmi modern ndaj shteteve të vogla. Duke folur në Forumin Ndërkombëtar të Studentëve në Beograd, Vuçiç tha se Perëndimi po përdor media, OJQ-të dhe shërbimet sekrete për të ushtruar ndikim dhe për të shkatërruar rendin ligjor ndërkombëtar.
Sipas Vuçiçit, gjithçka nisi me bombardimin e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë në vitin 1999, një ngjarje që ai e cilësoi si “momentin kur bota hyri në një epokë të rrezikshme pa rregulla dhe pa drejtësi”. Ai theksoi se ky precedent i vendosur 25 vite më parë po kthehet sot si një bumerang ndaj vetë vendeve që e iniciuan atë.
“Në botën moderne, dikur ekzistonte përpjekja për të justifikuar shkeljen e ligjit ndërkombëtar. Tani, nuk ka më justifikime – askush nuk përpiqet të shpjegojë pse dikush bombardoi një vend sovran apo sulmoi një popull,” tha Vuçiç, duke shtuar se Serbia do të mbrohet me çdo mjet të mundshëm nëse kërcënohet.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensioni të shtuar në rajon dhe në sfondin e zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku Serbia po kërkon të ruajë neutralitetin mes Perëndimit dhe aleatëve të saj tradicionalë.