
Studentët protestues në Serbi kanë dhënë një ultimatum ndaj qeverisë, duke kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare deri në mbrëmjen e 28 qershorit. Në të kundërt, ata paralajmërojnë se qytetarët do të jenë të gatshëm të marrin “të gjitha masat ekzistuese të mosbindjes civile”.
Protesta pritet të kulmojë në datën 28 qershor, në Ditën e Vidovdanit, e cila në historinë serbe lidhet me Betejën e Kosovës të vitit 1389. Një tjetër kërkesë e studentëve është edhe largimi i protestuesve kundërshtarë nga kampi i ngritur prej tre muajsh në qendër të Beogradit, të cilët e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë”.
Në një deklaratë publike, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi se nëse situata del jashtë kontrollit, shteti do të ndërhyjë në Vidovdan për të parandaluar çdo trazirë të mundshme.