
Pentagoni ka publikuar pamje zyrtare nga sulmi ajror amerikan ndaj centralit bërthamor Fordow në Iran, i kryer gjatë natës mes 21 dhe 22 qershor. Videot u transmetuan për herë të parë gjatë një deklarate për shtyp të mbajtur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine.
Në pamje shfaqet momenti kur njëra prej gjashtë bombave të avancuara të llojit “bunker buster” godet objektivin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e nëndheshme të centralit.
Centrali Fordow është një nga objektet më të siguruara të programit bërthamor iranian, i ndërtuar thellë në brendësi të një mali, çka ka bërë ndërhyrjen të jetë e vështirë dhe ndër më të debatueshmet. Zyrtarët amerikanë thanë se ky operacion përbën një demonstrim të qartë të kapaciteteve të SHBA-së për të goditur objektiva të mbrojtur në thellësi dhe se mesazhi është drejtuar jo vetëm ndaj Teheranit, por edhe ndaj çdo aktori që mund të sfidojë supremacinë ushtarake amerikane.