Khamenei sfidon SHBA: Sulmet ndaj centraleve bërthamore dështuan, Irani pezullon inspektimet e IAEA-së

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se sulmet ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane “nuk arritën asgjë domethënëse” dhe i cilësoi ato si një dështim strategjik i Shteteve të Bashkuara.

Në fjalimin e tij të parë pas armëpushimit me Izraelin, Khamenei tha se sulmet ndaj centraleve në Fordo, Natanz dhe Isfahan kishin ndikim simbolik dhe nuk kanë dëmtuar realisht kapacitetet bërthamore të vendit. Ai paralajmëroi se çdo sulm i ardhshëm ndaj Iranit do të pasohet me goditje të menjëhershme ndaj bazave amerikane në rajon, duke përmendur sulmin e fundit ndaj bazës në Katar si një “përgjigje të fuqishme dhe të matur”.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara paraqesin një narrativë krejtësisht të kundërt. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se ndërhyrjet ajrore kishin “shtyrë për vite përpara” programin bërthamor iranian, ndërsa presidenti Donald Trump këmbënguli se impiantet u “shkatërruan plotësisht”.

Në një veprim që përshkallëzon më tej tensionet, parlamenti iranian ka miratuar një ligj që pezullon bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), duke ndaluar inspektimet në objektet bërthamore të Iranit. Kjo lëvizje vjen një ditë pasi bordi i guvernatorëve të IAEA deklaroi se Irani kishte shkelur për herë të parë në 20 vjet detyrimet ndërkombëtare për mospërhapje bërthamore.

Veprimet e fundit nga Teherani po interpretohen si pjesë e një strategjie për të forcuar pozitat e brendshme pas konfliktit me Izraelin, ndërsa për Perëndimin përbëjnë një sinjal të qartë se tensionet në Lindjen e Mesme janë ende larg zbutjes