
Inteligjenca ruse: Serbia po eksporton tërthorazi armë në Ukrainë
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) ka akuzuar Serbinë se po ndihmon Ukrainën me furnizime ushtarake në mënyrë të tërthortë, përmes vendeve anëtare të NATO-s. Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar më 23 qershor në faqen e këtij shërbimi, thuhet se municioni i prodhuar në fabrikat e mbrojtjes në Serbi, kryesisht për sisteme të rënda me rreze të gjatë veprimi, po i dërgohet Ukrainës nëpërmjet Çekisë dhe Bullgarisë.
Sipas SVR, transferimi kryhet në formën e seteve të pjesëve për montim, të cilat pasi dërgohen në vendet perëndimore, montohen dhe mbushen në fabrika të specializuara. “Kjo i mundëson Kievit të pranojë pajisje që teknikisht nuk janë më serbe, pasi transformohen në produkte të reja ushtarake në Çeki dhe Bullgari”, thuhet në deklaratë.
SVR pretendon se ushtria ukrainase është mirënjohëse për kontributin e prodhuesve serbë në mbështetjen e kapaciteteve të saj luftarake dhe në ruajtjen e gatishmërisë së forcave të armatosura të vendit.
Kjo akuzë e re nga Moska vjen në një kohë të ndjeshme për rajonin, ku Serbia ka ruajtur një pozicion formal neutral në lidhje me luftën në Ukrainë, ndërsa është përballur me presion ndërkombëtar për të sqaruar qëndrimin e saj. Deri më tani, autoritetet serbe nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj deklaratës së shërbimit sekret rus. Situata pritet të shkaktojë reagime diplomatike në ditët në vijim, veçanërisht mes Beogradit dhe Moskës.