Një tjetër armëpushim në horizont, kryeministri i Katarit: Izraeli dhe Hamasi do të negociojnë për Gazën brenda dy ditëve

 

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka deklaruar se Hamasi dhe Izraeli do të zhvillojnë negociata indirekte për një armëpushim në Gaza brenda dy ditëve të ardhshme.

Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin libanez, Nawaf Salam, ku Al Thani shtoi se Katari po angazhohet për të lehtësuar bisedimet mes palëve në konflikt.
Ai gjithashtu u shpreh i shqetësuar për zhvillimet rajonale, duke theksuar: “Shpresojmë që Izraeli të mos përfitojë nga situata me Iranin për të sulmuar Gazën.”

Deklaratat e tij janë raportuar nga mediat izraelite, duke cituar burime të agjencisë ndërkombëtare Reuters.
Katari, i cili ka luajtur një rol ndërmjetësues të rëndësishëm në konfliktin mes Hamasit dhe Izraelit, vazhdon përpjekjet për një zgjidhje të përkohshme që synon ndalimin e luftimeve dhe lehtësimin e krizës humanitare në Rripin e Gazës.