
Autoritetet britanike kanë ngritur alarmin për një valë të rrezikshme të nxehti që po përfshin Anglinë dhe Uellsin, duke paralajmëruar se qindra njerëz mund të humbasin jetën në ditët në vijim.
Sipas ekspertëve të Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar, ky skenar i zymtë nuk do të ndodhte pa ndikimin e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu. Rritja e temperaturave me 2 deri në 4 gradë Celsius për shkak të ndotjes nga lëndët djegëse fosile konsiderohet faktori kryesor.
Më të rrezikuarit janë të moshuarit, veçanërisht ata mbi 65 vjeç, të cilët përbëjnë 85% të vdekjeve të parashikuara. Qendrat urbane si Londra parashikohen të kenë normën më të lartë të vdekshmërisë për shkak të dendësisë dhe efektit “furrë qyteti”.
Nga viti 2020 deri në 2024, valët e të nxehtit në Britani kanë shkaktuar mbi 10,000 viktima, ndërsa aktualisht autoritetet shëndetësore po përballen me kritika për masat e pamjaftueshme për mbrojtjen e qytetarëve.
Ekspertët nga Imperial College London paralajmërojnë se “valët e të nxehtit janë vrasës të heshtur”. Shumë viktima vuajnë nga sëmundje të mëparshme dhe shpesh, nxehtësia nuk regjistrohet si shkak i drejtpërdrejtë në certifikatat e vdekjes.
“Njerëzit do vdesin si mizat nëse nuk merren masa urgjente”, thonë ambientalistët. Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për mbrojtjen e grupeve vulnerabël dhe për përballimin e emergjencës klimatike që po përkeqësohet vit pas viti.