
Një krizë e paprecedentë ka goditur sistemin energjetik të Kosovës. Për herë të parë që nga paslufta, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ndalur plotësisht prodhimin e energjisë elektrike, duke lënë vendin me prodhim zero kilovat – një kolaps i plotë i sistemit të brendshëm energjetik.
Lajmi u konfirmua nga kompania furnizuese KESCO, e cila njoftoi se aktualisht dhe në ditët në vijim, e gjithë sasia e energjisë elektrike në vend do të sigurohet vetëm përmes importit. Kjo situatë e rëndë është e panjohur në 25 vitet e fundit dhe po cilësohet si më e rënda që prej përfundimit të luftës.
“KESCO njofton se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim. Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë për konsumatorët në Kosovë do të mbulohet përmes importit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas Infokusi, të gjitha blloqet e termocentraleve të KEK janë jashtë funksionit, dhe prodhimi është reduktuar në zero megavat, duke paralajmëruar vështirësi të mëdha për furnizimin me energji në ditët në vijim.
Burime nga brenda sektorit të energjisë i kanë thënë mediave se një situatë e tillë nuk është regjistruar asnjëherë më parë, dhe se bëhet fjalë për një ndërprerje totale që nuk është parashikuar apo paralajmëruar më herët me transparencë.
KESCO ka kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe për të zvogëluar presionin mbi sistemin energjetik dhe kostot e importit, të cilat pritet të jenë të larta.
“Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, thuhet në apelin e KESCO.
Ndërkohë, KEK nuk ka reaguar ende zyrtarisht për shkaqet që çuan në kolapsin e sistemit prodhues. Gazeta Nacionale ka raportuar se pyetjet dërguar në adresë të kësaj korporate nuk kanë marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të lajmit.
Kriza e tanishme ka ngritur shqetësime serioze për menaxhimin e sektorit energjetik dhe për sigurinë energjetike të Kosovës, sidomos në periudha kur kërkesa është e lartë dhe kapacitetet importuese janë të kufizuara.