
Një vendim historik është marrë nga Departamenti i Arsimit të Qytetit të Nju Jorkut: gjuha shqipe është zyrtarizuar si një nga gjuhët e përfshira në komunikimet shkollore zyrtare në të gjitha shkollat publike të qytetit.
Njoftimi u bë më 18 qershor nga kancelarja e Arsimit në Nju Jork, Melissa Avilés-Ramos, dhe u përshëndet si një arritje e madhe për komunitetin shqiptar në SHBA, veçanërisht në qytetin me një përqendrim të lartë të shqiptarëve.
Deri më tani, vetëm 10 gjuhë përfshiheshin në komunikimet zyrtare të shkollave publike, nga mbi 180 gjuhë që fliten në qytetin shumëgjuhësh të Nju Jorkut. Me vendimin e ri, shtohen tri gjuhë të tjera, ndër të cilat edhe shqipja, duke e çuar numrin total në 13 gjuhë zyrtare komunikimi (përfshirë edhe anglishten).
Ky hap do të thotë se çdo dokument, njoftim, formular apo informacion që dërgohet nga shkollat për prindërit, do të jetë i përkthyer dhe i aksesueshëm edhe në gjuhën shqipe. Kjo nismë synon të eliminojë barrierat gjuhësore dhe të nxisë përfshirjen e plotë të prindërve shqiptarë në procesin edukues të fëmijëve të tyre.
Për shumë vite, familjet shqiptare janë përballur me vështirësi për të ndjekur jetën shkollore të fëmijëve për shkak të mungesës së përkthimeve zyrtare në gjuhën amtare. Tani, me këtë vendim, ata ndihen më të përfaqësuar dhe të fuqizuar për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet arsimore.
Kjo politikë e re nuk ndihmon vetëm prindërit, por edhe vetë nxënësit, të cilët përfitojnë nga një mjedis më i përfshirës, duke përmirësuar përformancën e tyre akademike dhe mirëqenien emocionale.
Vendimi i autoriteteve arsimore të Nju Jorkut konsiderohet si një akt vlerësimi ndaj komunitetit shqiptar dhe një model për përfshirje kulturore në sistemin arsimor amerikan