
Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, më 18 qershor 2025, në rrugën Pisanello, ku një përplasje mes një makine dhe një motoçiklete rezultoi fatale për 46-vjeçarin me origjinë shqiptare, Leonard Uruci.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 21:00, motoçikleta udhëtonte në rrugën Osoppo drejt piazzale Siena, ndërsa makina vinte nga rruga Rembrandt.
Në kryqëzimin me rrugën Pisanello, shoferi dyshohet se ka kryer kthesë djathtas pa i dhënë përparësi motoçikletës, e cila sapo kishte kaluar piazzale Velasquez, duke shkaktuar aksidentin.
Leonard Uruci, i cili kishte mbushur 46 vjeç më 23 shkurt, u transportua nga ekipet e emergjencës së Areu dhe u dërgua në gjendje kritike në spitalin Niguarda, ku ndërroi jetë pak më vonë.
Shoferi i makinës, një italian 37-vjeçar nga Milano, u ndal për të dhënë deklaratën dhe i është bërë testi i alkoolit, i cili rezultoi negativ.
Hetuesit lokalë po vazhdojnë punën për të rikonstruktuar dinamikën e ngjarjes, ndërsa prokurori ka urdhëruar autopsinë dhe sekuestrimin e automjeteve.