Autobusi i turistëve shkel rregullat në Lungomare, policia pranë vendit nuk merr masa

Një episod i shkeljes së qartë të rregullave të qarkullimit është regjistruar sot rreth orës 05:30 në zonën e Lungomares, te “Skela”, në Vlorë. Një autobus me turistë, duke anashkaluar rrethrrotullimin që ndodhej vetëm 150 metra më larg, kaloi në mënyrë të paligjshme trafikndarësen dhe u fut në mënyrë të rrezikshme në parkimin e një hoteli pranë bregdetit.

E gjitha kjo ndodhi në sy të patrullës së policisë rrugore, e cila ndodhej vetëm 50 metra larg, por nuk reagoi dhe nuk mori asnjë masë ndaj drejtuesit të autobusit. Ky veprim, përveçse i kundërligjshëm, krijoi kaos të përkohshëm në qarkullimin e automjeteve në një prej zonave më të frekuentuara të qytetit në këtë sezon turistik.

Banorët dhe qytetarët që ndodheshin aty shprehën indinjatën për mungesën e reagimit nga autoritetet, ndërsa theksuan nevojën për zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë, vendas apo të huaj.