Çohet në Gjykatën Kushtetuese: Kërkohet dëmshpërblim më i lartë për burgimet e padrejta, jo më 3 mijë lekë në ditë

A është e drejtë që shteti shqiptar të japë vetëm 3 mijë lekë në ditë si dëmshpërblim për një të burgosur që shpallet i pafajshëm? Ky është thelbi i një padie të depozituar në Gjykatën Kushtetuese nga gjyqtari Bevis Shehaj, i cili kërkon shfuqizimin e ligjit aktual për kompensimin e burgimit të padrejtë, duke e konsideruar atë antikushtetues dhe diskriminues.

Sipas padisë, ligji parashikon kompensim vetëm me 3 mijë lekë për çdo ditë paraburgim, 2 mijë lekë për ditë burgimi dhe 1 mijë lekë për ditë arresti shtëpie — shuma që Shehaj i konsideron qesharake krahasuar me dëmin real ekonomik e psikologjik që i shkaktohet një individi të privuar padrejtësisht nga liria.

Rasti konkret që ka sjellë këtë lëvizje ligjore është ai i Erjon Demajt, i cili është mbajtur në paraburgim për tre vite, ndonëse u dënua vetëm me 8 muaj burg. Sipas fashikullit të siguruar nga Top Channel, kjo ka nxjerrë në pah një disproporcion të thellë midis dëmit të shkaktuar dhe kompensimit të parashikuar me ligj.

Padia është bërë në një kohë kur edhe komuniteti i avokatëve ka ngritur shqetësime serioze mbi vlerat e ulëta të kompensimit, duke theksuar nevojën për një rregullim të drejtë dhe dinjitoz të kësaj çështjeje.

Në qendër të argumentimit qëndron fakti se paga minimale në Shqipëri është 40 mijë lekë në muaj, ndaj 3 mijë lekë në ditë nuk përfaqësojnë as afërsisht vlerën e jetës së një qytetari të mbajtur në burg padrejtësisht.