
Teologu Justinian Topulli ishte i ftuar në emisionin “Breaking”, ku komentoi teoritë që qarkullojnë se lufta në Lindjen e Mesme është parashikuar në Kuran.
Topulli hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se tekstet e shenjta përmbajnë referenca për luftëra dhe ngjarje të vështira, por jo në mënyrë specifike apo të lidhura drejtpërdrejt me zhvillimet aktuale.
“Në Kuran ka thënie të Profetit që flasin për ngjarjet e fundit, por ato duhen lexuar në kontekstin e duhur dhe jo të shkëputura për t’u përshtatur me aktualitetin,” u shpreh ai.
Sipas teologut, kjo është një tendencë e vjetër dhe e rrezikshme që vjen nga padija dhe keqinterpretimi i teksteve fetare. “Njerëzit duan të lidhin çdo ngjarje me shkrimet e shenjta, duke i futur në një lojë ku teksti humbet kuptimin e tij të vërtetë,” shtoi ai.
Topulli tha se ngjarjet e përmendura në Kuran janë të një natyre më të gjerë dhe nuk mund të përdoren si profeci të drejtpërdrejta për zhvillimet politike apo ushtarake të sotme.