Zbardhet e shkuara kriminale e Dritan Gjikës: Si u kthye nga emigrant në një nga baronët më të mëdhenj të kokainës në botë

E shkuara kriminale e Dritan Gjikës, një prej narkotrafikantëve më të mëdhenj shqiptarë, u bë publike mbrëmjen e së martës në emisionin “Në Shënjestër” në News24, duke zbuluar detaje tronditëse për mënyrën sesi ai, nën petkun e një biznesmeni, ndërtoi një perandori droge ndërkombëtare.

Gjika, 49 vjeç, me origjinë nga Shkodra, është arrestuar më 26 maj 2025 në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, falë një operacioni të përbashkët mes Interpolit të Ekuadorit, Abu Dhabit dhe Spanjës, në kuadër të programit ndërkombëtar të shkëmbimit të informacionit “PACHTO 2.0”.

Për vite me radhë, emri i tij ka mbetur i panjohur në Shqipëri, edhe pse ishte nën hetim nga agjencitë ndërkombëtare për trafik droge, pastrim parash dhe drejtim të një organizate kriminale. Në Shqipëri, ai nuk njihej si kriminel, por si një figurë e qetë, ndërsa jashtë vendit ishte ndër emrat më të kërkuar të krimit të organizuar.

Gjika arriti të zhvendosej në Ekuador në moshën mbi 30 vjeç, fillimisht si një “vizitor i përkohshëm”, por shumë shpejt ndërtoi atje një rrjet të fuqishëm trafiku droge. Ai përfitoi nga pozita gjeografike e vendit për të krijuar lidhje me kartelin e drogës në Amerikën Latine dhe për të transportuar tonelata kokaine drejt Europës dhe më tej.

Pasuria e tij është vlerësuar në mbi 51 milionë euro, vetëm nga asetet e sekuestruara nga autoritetet ekuadoriane. Në shkurt të vitit 2024, policia kishte bastisur një vilë luksoze të Gjikës në periferi të qytetit Guajakil, por ai nuk ishte ndodhur aty. Në shtëpi u gjetën gruaja, vajza e tij e mitur dhe një arsenal armësh.

Në dosjet hetimore ndërkombëtare, Gjika figuron si drejtuesi i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës, që përmbytej në tregjet e BE-së. Interpoli kishte lëshuar dy “red notice” për të, për akuzat e rënda që e lidhin me veprimtari të organizuar kriminale ndërkontinentale.

Aktualisht, ai ndodhet në pritje të ekstradimit në një nga vendet ku përballet me akuza të rënda penale, ndërsa autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje për të nisur hetimet pasurore dhe penale për të gjithë rrjetin që ai mund të ketë pas lënë në Shqipëri