Zbardhen detaje të reja: Futbollisti shqiptar në Australi, 28-vjeçari Mario Bacaj, i jep fund jetës tragjikisht

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar dhe botën e sportit në Australi. Mario Bacaj, një 28-vjeçar me origjinë shqiptare por i rritur në Itali, i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike në qytetin Adelaide të Australisë.

Sipas raportimeve, Bacaj është hedhur nga kati i tetë i një ndërtese në qendër të qytetit, pikërisht nga çatia e “Bar & Restorantit 2KW”. Ngjarja ka ndodhur në mes të pasdites, në një kohë kur ai pritej të merrte pjesë në një ndeshje me ekipin e tij, “Adelaide Eagles”, ku luante si futbollist.

Shokët e skuadrës u tronditën kur morën lajmin e papritur për ndarjen nga jeta të bashkëlojtarit të tyre. Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e incidentit mbërritën zjarrfikësit, shërbimi i ambulancës dhe policia, por përpjekjet për ta shpëtuar rezultuan të kota.

Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat dhe motivet që e çuan të riun drejt këtij akti të rëndë, ndërsa autoritetet australiane po vijojnë hetimet.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku miq, të afërm dhe bashkëlojtarë e kanë kujtuar Mario Bacajn si një njeri të qetë, të talentuar dhe të përkushtuar në sport.