
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar një mesazh të fortë në platformën e tij Truth Social, drejtuar udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Trump pretendon se SHBA-të kanë informacion të saktë mbi vendndodhjen e liderit iranian, duke e cilësuar atë si një “shënjestër të lehtë”, por shton se aktualisht nuk ka urdhër për ta eliminuar.
“Ne e dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi ‘Udhëheqës Suprem’. Ai është një shënjestër e lehtë, por është i sigurt atje – nuk do ta vrasim! Të paktën, jo për momentin,” shkroi Trump.
Mesazhi vjen në një kohë tensioni të shtuar mes Uashingtonit dhe Teheranit, mes përplasjeve verbale dhe lëvizjeve të forta në Lindjen e Mesme. Trump shtoi se nuk dëshiron që raketat të shpërthejnë mbi civilë apo ushtarë amerikanë, duke paralajmëruar se durimi i SHBA-së është drejt fundit.
“Dorëzohu! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje,” e përmbylli mesazhin presidenti amerikan.
Ky reagim është parë si një sinjal i qartë presioni dhe paralajmërimi ndaj regjimit iranian, teksa pritet të shihet si do të përgjigjet Teherani ndaj këtij zhvillimi të ri diplomatik dhe ushtarak.