
Roskovec/ Arrestohet 27-vjeçari që i vuri zjarrin një banese, për borxh të të birit të pronares
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Roskovec, ku një 27-vjeçar dyshohet se ka kryer një akt të qëllimshëm zjarrvënieje, për shkak të një borxhi të pashlyer.
Sipas Policisë, shtetasja M. L. kallëzoi se banesa e saj, e ndodhur në lagjen nr. 1 të qytetit, ishte përfshirë nga flakët gjatë kohës kur ajo nuk ndodhej aty. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec organizuan veprimet për identifikimin e autorit të dyshuar.
Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe veprimeve operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit E. Z., 27 vjeç, banues në Fier.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu i ka vënë zjarrin banesës së M. L., pasi pretendonte se djali i kësaj shtetaseje i kishte borxh një shumë parash. Për fat të mirë, si pasojë e flakëve u shkaktuan vetëm dëme të pjesshme materiale, pa pasoja në njerëz.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasit E. Z. iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore