
Lushnjë – Një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta është goditur nga Policia, falë punës së inteligjencës policore dhe reagimit të shpejtë të strukturave antidrogë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë një 43-vjeçar, pasi u kap me doza kokaine të gatshme për shitje në ambientin e biznesit të tij – një tabakino – në lagjen “Skënder Libohova”.
Shtetasi E. F., banues në Lushnjë, u ndalua nga shërbimet e Policisë në momentin kur mbante me vete sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, e ndarë në doza të vogla dhe e gatshme për t’u tregtuar.
Gjatë kontrollit, droga u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Lushnjës vijon punën për evidentimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht pranë ambienteve publike dhe bizneseve që mund të përdoren si mbulim për veprimtari kriminale.