Himarë/ Shisnin 6000 litra benzinë pa kasë fiskale, procedohen administratori dhe menaxheri i një karburanti

Himarë/ Shitje pa kasë fiskale në port, procedohen penalisht administratori dhe menaxheri i një karburanti

Dy persona janë proceduar penalisht në Himarë, pasi u kapën duke furnizuar me karburant mjete lundruese pa përdorur pajisje fiskale, në kundërshtim me ligjin.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve të marra në rrugë operative, organizuan një kontroll në një subjekt që tregton hidrokarbure, i pozicionuar pranë portit të Himarës.

Gjatë verifikimeve, u konstatua se punonjës të këtij subjekti po shisnin rreth 6000 litra benzinë për mjete të ndryshme lundruese me autobot, pa përdorur kasë fiskale automatike, duke shkelur detyrimet ligjore mbi fiskalizimin dhe dokumentimin e shitjeve.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u nis procedimi penal për shtetasit:

  • S. K., 40 vjeç, banues në Krujë, me detyrë administrator i subjektit;
  • M. R., 51 vjeç, banues në Himarë, me detyrë menaxher.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore