E rëndë në Itali: 21-vjeçari vret me sëpatë nënën pas një konflikti, trupi u gjet nga vëllai

Një krim tronditës ka ndodhur në qytetin Racale të provincës së Lecce-s, në rajonin jugor të Salentos në Itali. Një 21-vjeçar, Filippo Manni, ka vrarë me sëpatë nënën e tij, Teresa Sommario, 53 vjeç, pas një konflikti të ashpër mes tyre brenda banesës ku jetonin së bashku.

Mediat italiane raportojnë se ngjarja makabre ka ndodhur në orët e pasdites. Manni ka goditur disa herë në kokë të ëmën me një sëpatë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas aktit të rëndë, ai është larguar nga vendi i krimit dhe është parë duke endur në rrugët e qytetit në gjendje të çrregullt.

Një kalimtar që dyshoi në sjelljen e tij, njoftoi policinë, e cila ndërhyri menjëherë duke e arrestuar dhe dërguar në komisariat për marrje në pyetje. Trupi i pajetë i gruas u gjet nga djali tjetër i saj, i cili dha menjëherë alarmin.

Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e karabinierëve të Casaranos dhe njësia hetimore e Lecces, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të motivit të krimit. Hetimet paraprake po shqyrtojnë edhe gjendjen mendore të autorit, ndërsa komuniteti vendas është tronditur nga kjo ngjarje e rëndë familjare