Video virale nga G7: Meloni rrotullon sytë pas pëshpëritjes së Macron – rrjetet shpërthejnë me komente

Video virale nga G7: Përdoruesit e rrjeteve sociale spekulojnë për pëshpëritjen e Macron ndaj Melonit

Një moment konfidencial mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe presidentit francez Emmanuel Macron gjatë Samitit të G7-ës në Kanada ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Në një video që është bërë virale, Macron shihet duke pëshpëritur diçka në veshin e Melonit, e cila u përkul për të dëgjuar më mirë. Ajo që tërhoqi edhe më shumë vëmendjen ishte reagimi i saj – një rrotullim sysh i theksuar – që është interpretuar gjerësisht nga përdoruesit si një përgjigje ironike, bezdisëse apo tallëse ndaj presidentit francez.

Momenti i shkurtër, por shumë i komentuar, ka nxitur spekulime të shumta për përmbajtjen e shkëmbimit të fjalëve mes dy liderëve, ndonëse asnjëri prej tyre nuk ka bërë ndonjë deklaratë zyrtare për këtë episod.

Ky shkëmbim vjen në një kohë tensionesh të herëpashershme mes Parisit dhe Romës mbi çështje të emigracionit, financave evropiane dhe politikave të jashtme, çka e ka bërë edhe më intriguese kjo ndërveprim.