
Në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, sërish, është vënë superbomba GBU-57 e Shteteve të Bashkuara, një armë që mund të shkatërrojë bunkerët e ndërtuar në thellësi ekstreme, si ai i centralit bërthamor të Fordow në Iran.
E projektuar në fillim të viteve 2000 për të goditur objektiva fort të mbrojtur, bomba GBU-57 peshon mbi 14 tonë dhe mund të transportohet vetëm nga bombarduesi i padukshëm B-2 “Spirit”. Ky i fundit ishte i pranishëm së fundmi në bazën ajrore të Diego Garcias, një atol strategjik në Oqeanin Indian. Analistët e lidhin këtë lëvizje me tensionet në Lindjen e Mesme dhe me përgatitje për skenarë të mundshëm në Jemen apo Iran.
Sipas një raporti të New York Times, për të goditur me sukses objektiva si Fordow – që ndodhet rreth 90-100 metra nën një mal – kërkohet një seri bombardimesh të njëpasnjëshme. Goditjet e para hapin rrugën për ato të mëvonshmet që shkaktojnë shpërthimin final brenda bunkerëve.
Megjithëse detajet teknike të GBU-57 mbeten të klasifikuara, besohet se përmirësimet e viteve të fundit kanë shtuar kapacitetin e saj depërtues dhe shkatërrues. Por edhe kjo bombë, për ekspertët, nuk është zgjidhje përfundimtare – mund të vonojë programin bërthamor iranian, por jo ta ndalojë përfundimisht.
Izraeli gjithashtu disponon kapacitete për goditje ndaj bunkerëve, siç ka treguar në operacionet kundër udhëheqësve të Hezbollahut. Megjithatë, për objektiva të thellë si Fordow, partneriteti me SHBA-në dhe përdorimi i GBU-57 mbetet opsioni më i mundshëm dhe më i fuqishëm.
Në këtë përballje gjeopolitike, GBU-57 nuk është vetëm një armë, por edhe një mesazh force për të gjithë ata që sfidojnë kontrollin dhe balancat globale të sigurisë.