
Qeveria shqiptare realizoi me sukses evakuimin e pesë shtetasve shqiptarë nga Izraeli, ku ata ndodheshin për arsye turistike dhe profesionale. Operacioni u koordinua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, me përfshirjen e ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro, si dhe mbështetjen e konsullit të Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb.
“Shtetasit tanë u larguan në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit dhe tashmë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore në Kajro, prej nga pritet kthimi i tyre në Shqipëri,” njoftoi ministri Igli Hasani, duke falënderuar autoritetet izraelite, ambasadat greke dhe bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe konsullin Ghorayeb për bashkëpunimin e tyre të vlefshëm.
Marc Ghorayeb, që është edhe këshilltar i kryeministrit Edi Rama për Lindjen e Mesme, theksoi rolin e ambasadores Meri Kumbe në Tel Aviv, e cila punoi në kushte shumë të vështira, duke koordinuar nxjerrjen e shtetasve shqiptarë nga zona e konfliktit.
“Falënderojmë Egjiptin, me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe që asnjëherë nuk ka refuzuar ndihmën në raste emergjence si ky,” shtoi Ghorayeb, duke theksuar se ky operacion tregon fuqinë e bashkëpunimit diplomatik në situata të vështira.