
Disa persona janë arrestuar dhe disa janë proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale, përfshirë trafikim të lëndëve narkotike, dhunë në familje, thyerje të masës së arrestit në shtëpi dhe konflikt fizik në qarkun e Vlorës. Policia bën me dije se mes të arrestuarve janë 20-vjeçari Arkel Jani në Sarandë për posedim të lëndës narkotike kanabis dhe Oligert Golikaj, 35 vjeç, për dhunë ndaj bashkëshortes.
Në njoftim thuhet se janë referuar për ndjekje penale edhe persona të tjerë për konflikte me armë lodër, zaptim prone dhe sjellje të pahijshme në publik. Gjithashtu policia bën me dije se hetimet po vijojnë dhe materialet janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. J., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë:
arrestuan shtetasin D. Z., 38 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, jashtë banesës së tij, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”; referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. G., 35 vjeç, banues në Vlorë, pasi dje, në një lokal në lagjen “28 Nëntori”, ka kanosur me një pistoletë lodër, për motive të dobëta, shtetasin K. H., 34 vjeç. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit L. M., 51 vjeç dhe Xh. I., 31 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me shtetasin D. G. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
P. D., 67 vjeç, pasi më datë 16.06.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë kryer verifikime lidhur me disa pamje të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqet ky shtetas, në plazhin e Borshit, duke larguar disa pushues, me pretendimin se ishte hapësirë e tij, dhe duke kryer veprime të turpshme në prani të tyre; B. P., 75 vjeç, pasi ka kallëzuar shtetasi M. M., 77 vjeç, se shtetasi B. P. i ka zaptuar një pronë, në fshatin Borsh.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin O. G., 35 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, shtetases E. G. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasen M. L., 45 vjeçe, banuese në Gjashtë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj shtetases E. G. dhe nënës së saj, shtetases Q. G.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Konispol referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. A., 37 vjeç, banues në fshatin Shalës, Konispol, pasi ka kallëzuar shtetasi A. A., 34 vjeç, banues në Konispol, se 37-vjeçari e ka goditur me grushte. Materialet iu referuan prokurorive, për veprime të mëtejshme.