
Deputetët e rinj socialistë në kurs veror: Rama, Balla dhe Spiropali ndër lektorët që do t’u mësojnë etikën dhe fjalimet në Kuvend
Deputetët e rinj të Partisë Socialiste, të zgjedhur më 11 maj, do t’i nënshtrohen një trajnimi veror para se të marrin detyrën në Kuvend në shtator. Shkolla verore, e organizuar nga Akademia Politike e PS-së, do të nisë më 20 qershor dhe do të zgjasë për disa javë, me qëllim përgatitjen e ligjvënësve të rinj për rolin e tyre institucional.
Në qendër të programit janë lëndë si etika parlamentare, funksionimi i Kuvendit, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe aftësitë e komunikimit publik.
Në ditët e para të trajnimit (20-22 qershor), deputetët do të njihen me “Rolin e Deputetit dhe Etikën e Përfaqësimit”, modul që do të drejtohet nga katër lektorë, përfshirë kryeministrin Edi Rama.
Më tej, nga 27 deri më 29 qershor, fokusi do të jetë në funksionimin e Kuvendit, me lektorë si Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu.
Në fillim të korrikut, deputetët do të trajnohen për marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare, me drejtim nga Elisa Spiropali, Adea Pirdeni dhe Olta Xhaçka. Do të trajtohen temat që lidhen me bashkëpunimin me ministritë dhe bashkitë, përfaqësimin ndërkombëtar dhe diplomacinë parlamentare.
Përmbyllja e kursit është planifikuar për 11-13 korrik, ku do të zhvillohet moduli mbi “Komunikimin Politik”. Lektorët Taulant Balla, Endri Fuga dhe Eduard Shalsi do t’i mësojnë deputetëve të rinj si të hartojnë një fjalim parlamentar dhe si të menaxhojnë praninë në rrjetet sociale.
Në këtë program marrin pjesë 54 deputetë të rinj, mes tyre 21 gra dhe 33 burra.