
Forca e Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të kontrolleve intensive për goditjen e veprimtarive të paligjshme, ka finalizuar një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Vlorës.
Në lagjen “28 Nëntori” u kap në flagrancë shtetasi R. K., 21 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi”. Ai dyshohet se shpërndante doza kanabisi në zona të ndryshme të qytetit. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, shërbimet e policisë sekuestruan 60 doza me lëndë narkotike të llojit cannabis sativa, të gatshme për shitje.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, 21-vjeçari u arrestua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia nënvizon se kontrollet do të vijojnë me intensitet, veçanërisht në zonat urbane dhe turistike, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.