
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës, ku një turist belg 21-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas një incidenti me mjet lundrues tip “Jet Ski”.
Rreth orës 20:00, shërbimi i Urgjencës së Spitalit të Durrësit ka pranuar për ndihmë mjekësore shtetasin belg H. K., i cili kishte pësuar dëmtime serioze në trup.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, dyshohet se i riu ka humbur kontrollin mbi Jet Ski-n gjatë manovrimit në det dhe është përplasur me sipërfaqen e ujit, duke rënë në mënyrë të pakontrolluar.
Shërbimet policore mbërritën menjëherë në spital për të nisur veprimet hetimore, ndërsa aktualisht po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Gjendja shëndetësore e turistit është e rëndë dhe ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, Policia vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të ngjarjes.