
Policia e Fierit ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Koordinata”.
Si rezultat i kontrolleve sistematike dhe informacionit të siguruar nga inteligjenca policore, u kap në flagrancë shtetasi F. R., 59 vjeç, banues në fshatin Vlosh, teksa kujdesej për bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa, të kultivuara në afërsi të përroit të fshatit.
Gjatë operacionit u zbuluan dhe asgjësuan nëpërmjet djegies 22 bimë narkotike.
59-vjeçari u arrestua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.
Policia thekson se kontrollet do të vijojnë në çdo cep të territorit për parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.