Pas humbjes së babait, reagon për herë të parë djali i Grida Dumës: “Ti qëndron me mua, mbrojtësi im”

Pas disa ditësh heshtjeje nga ndarja e papritur nga jeta e diplomatit Ilir Shqina, djali i tij, Darien Shqina, ka reaguar për herë të parë publikisht me një mesazh prekës në rrjetet sociale.

Djali i politikanes Grida Duma ka rrëfyer se lajmin e hidhur e mori jashtë vendit, në një moment të ndjeshëm për familjen, ndërsa sapo ishte kthyer për të ndjekur ceremoninë për gjyshen e ndjerë.

“Nuk ka fjalë që ta përshkruajnë boshllëkun që ndjej. Por ti qëndron me mua dhe mbrojtësi im”, shkruan Darien në postimin emocional, duke kujtuar figurën e të atit si njeriu që i formësoi karakterin dhe forcën për përballimin e jetës.

Ai thekson se babai i tij ka qenë jo vetëm një prind i dashur, por edhe një mentor që e udhëzoi drejt dijes, drejtësisë dhe vlerave njerëzore.

“Ke shkëlqyer në diplomaci dhe e ke pasur pasion të vërtetë. Ke përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet në vendet më të rëndësishme të botës”, shkruan ai, duke nderuar figurën dhe kontributin e Ilir Shqinës në arenën ndërkombëtare.

Mesazhi ka prekur shumë ndjekës në rrjetet sociale, të cilët kanë shprehur ngushëllimet e tyre për humbjen e thellë.