Krim makabër në Itali: Shqiptari vret ish-bashkëshorten Gentiana Hudhra me thikë në mes të rrugës, pamjet trondisin opinionin

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali, ku një shqiptare, Gentiana Hudhra, 45 vjeç, është vrarë brutalisht nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, në mes të rrugës. Vrasja ndodhi në mbrëmjen e 14 qershorit, rreth orës 19:45, në zonën Viale Benadduci të qytetit Marche, pranë një parku të frekuentuar.

Sipas kronikës së publikuar nga Cronache Maceratesi, pamjet filmike të kapura nga kamerat e sigurisë zbulojnë momentet dramatike të krimit. 55-vjeçari e goditi viktimën disa herë me thikë, në qafë dhe shpatulla, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën në vend.

Pasi gruaja mbeti pa jetë në trotuar, autori e goditi me shkelma, ndërsa më pas u ul në një stol aty pranë, me sytë e ngulur te trupi i viktimës. Në një moment të kapur nga kamerat dhe dëshmitarët, ai dëgjohet të thotë: “Bëra atë që duhej të bëja.”

Sipas të dhënave të para, viktima dhe autori ishin të ndarë prej disa vitesh. Nikollaq Hudhra arriti te Gentiana me skuter, pranë një lokali, ku mes tyre shpërtheu një debat i dhunshëm që përfundoi në tragjedi.

Të tronditur, kalimtarët njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Forcat e rendit dhe ambulanca mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes, por ishte tepër vonë për 45-vjeçaren. Autori nuk bëri rezistencë dhe u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje nga prokurori publik Enrico Riccioni.

Krimi i rëndë ka shkaktuar reagime të ashpra dhe thirrje për masa më të forta kundër dhunës në familje dhe femicidit. Gentiana Hudhra lë pas dy fëmijë.