
Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë arritur një tjetër kulm këtë të diel, pasi Izraeli ka kryer një sulm ajror të drejtpërdrejtë mbi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Iranit, në veri të Teheranit.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, gjatë bombardimeve u vra Mohammad Kazemi, kreu i Organizatës së Inteligjencës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), së bashku me dy gjeneralë të tjerë të lartë të kësaj strukture ushtarake.
Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Saeed Khatibzadeh, e cilësoi sulmin si një akt të qëllimshëm dhe të pamëshirshëm nga Izraeli, duke theksuar se ndërtesa që u godit ishte pjesë e infrastrukturës diplomatike të vendit.
“Disa civilë u plagosën në këtë sulm, përfshirë edhe punonjës të Ministrisë që u dërguan në spital për trajtim”, deklaroi Khatibzadeh në platformën X (ish-Twitter).
Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, të verifikuara edhe nga CNN, tregojnë re të dendura tymi që dalin nga biblioteka e ndërtesës së Ministrisë së Jashtme në Teheran.
Kjo ngjarje përbën një nga sulmet më të drejtpërdrejta dhe më të rënda ndaj strukturave shtetërore iraniane, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.