
Një balenë e rrallë është filmuar nga ajri pranë brigjeve shqiptare të Karaburunit, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit dhe dashamirësve të natyrës. Videoja është shpërndarë nga arkitekti Artan Shkreli, i cili ndodhej në një helikopter mbi zonë.
“BALENE … sot në drekë, në Mexo’kanal, pranë Karaburunit. Nga helikopteri mund t’i jepje dorë,” shkruan Shkreli në postimin e tij në rrjetet sociale, ku shfaqet qartë madhështia e këtij gjigandi të detit.
Balenat janë vizitorë të rrallë në ujërat shqiptare, dhe kjo është hera e parë pas pesë vitesh që një prej tyre raportohet në këtë zonë. Më herët, në vitin 2020, një grup balenash u filmua nga peshkatarët pranë Karaburunit, duke bërë këtë ngjarje mjaft të veçantë.
Ky incident nxit interes dhe mbetet një shenjë pozitive për biodiversitetin detar në brigjet shqiptare, duke treguar se habitatet natyrore janë ende të gjalla dhe të ruajtura.