Tatimet publikojnë pagat indikative për turizmin: Kamarierët jo më pak se 70 000 lekë në muaj

Administrata Tatimore ka bërë publike listën zyrtare të pagave indikative për sektorin e turizmit, një hap që synon të formalizojë tregun e punës dhe të luftojë evazionin fiskal gjatë sezonit turistik.

Sipas të dhënave të publikuara, paga minimale mujore për kamarierët në restorante, bare apo hotele nuk duhet të jetë më pak se 70 000 lekë. Ndërkohë, pozicionet më bazë si punonjësit e pastrimit në plazh apo rojet e parkimit do të kenë paga referuese që nisin nga 55 000 lekë në muaj.

Në skajin tjetër të listës, pozicionet më të specializuara si kryekuzhinierët, shefat e pastiçerive apo drejtues të njësive të shërbimit do të paguhen me paga që variojnë nga 130 000 deri në 140 000 lekë në muaj.

Lista përfshin një sërë profesionistësh të sektorit të turizmit, si arkëtarë, banakierë, roje plazhi, ndihmës kuzhinierë, pastiçierë dhe punonjës të mirëmbajtjes, të cilët tashmë do të kenë një nivel page të përcaktuar si pikë reference në deklarimet tatimore.

Ky vendim vjen në kuadër të masave për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e kushteve të punës në një sektor që përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare gjatë sezonit veror