Netanyahu pas mbi 100 raketave nga Irani: “Asgjë s’ka mbaruar, më shumë është rrugës!”

Pas sulmit të Iranit me mbi 100 raketa ndaj objektivave izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu ka reaguar me një mesazh të ashpër dhe sfidues. Në një video të publikuar mbrëmjen e së premtes, ai iu drejtua drejtpërdrejt popullit iranian, duke theksuar se lufta e Izraelit nuk është kundër qytetarëve, por ndaj regjimit të Teheranit.

“Më shumë është rrugës. Regjimi nuk e di çfarë e ka goditur, ose çfarë do ta godasë. Nuk ka qenë kurrë më i dobët,” tha Netanyahu me tone kërcënuese. Ai shtoi se “asgjë nuk ka mbaruar” dhe paralajmëroi veprime të mëtejshme nga Izraeli.

Kryeministri izraelit pretendoi gjithashtu se forcat izraelite kanë goditur me sukses objektiva strategjike brenda Iranit, përfshirë impiantin më të rëndësishëm të pasurimit të uraniumit, një pjesë të madhe të arsenalit të raketave balistike, si dhe komandantë e shkencëtarë të lartë ushtarakë e bërthamorë.

Kjo përballje e hapur mes dy shteteve ka ngritur shqetësimin për një konflikt të gjerë rajonal, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për përmbajtje dhe diplomaci për të shmangur një përshkallëzim katastrofik.