
Vijon operacioni policor ndërkombëtar “The Wanted”. Interpol Tirana dhe Interpol Harare bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, të Loran Dusha, 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Dusha është administrator i inceneratorit të Fierit.
Për 42-vjeçarin, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet ka rezultuar se Loran Dusha, në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.
Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që fshihen jashtë vendit, me qëllim shmangien nga drejtësia.