Divjakë, lojëra fati të paligjshme në lokal të paregjistruar, në pranga pronari dhe kamerieri

Divjakë – Një lokal i paregjistruar në fshatin Karavasta e Re është zbuluar se ishte përshtatur për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, duke çuar në finalizimin e operacionit policor të koduar “Chat”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Fier, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të të dhënave nga inteligjenca policore.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë dy shtetas: pronari i lokalit, A. Ç., 51 vjeç dhe punonjësi i tij, E. Ç., 34 vjeç, i punësuar si kamerier pa sigurime dhe jashtë çdo rregjistrimi ligjor.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, Policia sekuestroi 7 njësi kompjuterike dhe 3 celularë që përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.