Aksident në Lushnje: Benz-i përplas furgonin me pasagjerë, përfundon në kanal dhe merr flakë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 03:30, në autostradën Fier–Lushnje, pranë vendpushimit të shoferëve. Në ngjarje janë përfshirë një automjet tip Benz dhe një furgon udhëtarësh, duke shkaktuar disa të plagosur, mes tyre edhe dy në gjendje të rëndë.

Sipas burimeve paraprake, automjeti tip Benz, që po udhëtonte me shpejtësi të lartë, ka goditur nga pas furgonin që po transportonte pasagjerë në drejtim të aeroportit të Rinasit. Përplasja ka shkaktuar humbjen e kontrollit të të dy mjeteve dhe ka qenë aq e fortë sa Benz-i theu barrierat mbrojtëse të rrugës, përfundoi në kanalin anësor dhe u përfshi nga flakët.

Fatmirësisht, katër personat që ndodheshin në Benz kanë arritur të dalin nga mjeti përpara se të digjej plotësisht. Ata janë transportuar në spital për trajtim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, furgoni me 7 pasagjerë ka përfunduar disa qindra metra më larg nga vendi i përplasjes. Të gjithë udhëtarët kanë pësuar lëndime, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lushnjes.

Policia dhe shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit janë në vijim. Autostrada për disa minuta ka qenë e bllokuar për shkak të ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës