
Tre punonjës policie të repartit “Shqiponjat” në Tiranë janë pezulluar nga detyra, pasi akuzohen për dhunë ndaj një qytetari pa arsye. Ngjarja ka ndodhur më 8 maj, kur efektivët kanë ndaluar një automjet dhe, sipas hetimeve, kanë përdorur dhunë arbitrare ndaj shoferit.
Si pasojë e dhunës, drejtuesi i automjetit, R.Z., është dërguar në Spitalin Universitar të Traumës për trajtim mjekësor.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë së Tiranës për pezullimin e tre punonjësve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të cilët akuzohen për kryerje të veprimeve arbitrare në bashkëpunim.
Efektivët e pezulluar janë:
- Inspektor E.T.,
- Inspektor D.G.,
- Inspektor E.N.,
të gjithë në sektorin “Shigjeta” të forcës së posaçme.
Masa u mor në kuadër të procedimit penal për ngjarjen e datës 8 maj 2025, rreth orës 19:30, ku efektivët kanë ndaluar automjetin dhe kanë kaluar në dhunë fizike ndaj shoferit.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.