Jahti superluksoz “Vibrant Curiosity” i miliarderit gjerman Reinhold Würth zbarkon në Portin e Durrësit

Një nga jahtet më luksoze në botë ka mbërritur këtë pasdite në Portin e Durrësit. Bëhet fjalë për superjahtin “Vibrant Curiosity”, në pronësi të miliarderit gjerman Reinhold Würth, një prej industrialistëve më të fuqishëm në Evropë dhe themelues i gjigandit ndërkombëtar “Würth Group”.

Jahti, me gjatësi 85 metra dhe flamur të Maltës, është ndërtuar nga kompania elitare holandeze “Oceanco” dhe ndodhet në Durrës për një ndalesë teknike dhe furnizim me karburant.

“Vibrant Curiosity” konsiderohet një simbol i luksit dhe inovacionit në botën e lundrimit. Ai përfshin një pistë për helikopterë, pishinë panoramike, jacuzzi dhe suita ultra moderne që ofrojnë komoditet maksimal për deri në 18 të ftuar. Për mirëqenien e tyre kujdeset një ekuipazh profesional prej 22 personash.

Würth është duke udhëtuar me jahtin e tij nëpër Ballkan dhe ndalesa në Shqipëri përkon me një tur më të gjerë në Mesdhe. Vizita e këtij jahti në Durrës ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve në port, ku mjeti lundrues mbresëlënës është kthyer në atraksion të vërtetë.

Autoritetet portuale kanë konfirmuar se të gjitha procedurat janë kryer sipas standardeve ndërkombëtare për pritjen e mjeteve të këtij kalibri