Irani lëshon mbi 100 dronë drejt Izraelit, ky kundërpërgjigjet me 200 avionë luftarakë

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë shpërthyer në përmasa të reja, pasi Irani lëshoi mbi 100 dronë drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për sulmet ajrore izraelite të ditëve të fundit.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite njoftoi se si përgjigje ndaj këtij sulmi, 200 avionë luftarakë izraelitë morën pjesë në një kundërsulm të përmasave të mëdha, duke goditur mbi 100 objektiva strategjike në territorin iranian gjatë natës.

“Na presin disa orë të vështira,” tha zëdhënësi, ndërsa sirenat ajrore u aktivizuan në disa rajone të Izraelit, duke vënë vendin në gjendje të lartë gatishmërie.

Udhëheqësi suprem i Iranit reagoi menjëherë pas sulmit, duke paralajmëruar se Izraeli do të përballet me “ndëshkim të ashpër”. “Regjimi sionist i ka sjellë vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm,” deklaroi ai.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka nisur një ofensivë ajrore të koduar “Luani që Ngrihet” (Operation Rising Lion), e përshkruar si një nga më të mëdhatë në historinë e konflikteve mes dy vendeve. Objektivat e goditura përfshijnë uzina bërthamore, baza ushtarake dhe struktura të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit.

Situata mbetet kritike dhe në zhvillim të vazhdueshëm, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i bën thirrje të dyja palëve për përmbajtje dhe de-përshkallëzim të menjëhershëm të konfliktit