
Një pasagjer i vetëm ka mbijetuar nga rrëzimi tragjik i avionit të fluturimit 171 të Air India, një aksident ajror që i mori jetën 241 personave në bord.
I mbijetuari, Viswash Kumar Ramesh, 38 vjeç, arriti të telefononte familjen e tij në Britani vetëm pak çaste pasi kishte dalë nga rrënojat. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, ai tha i tronditur: “Nuk e di si jam gjallë.”
Avioni, një Boeing 787 Dreamliner, ishte nisur nga Ahmedabad (Indi) me destinacion Londrën, por u rrëzua menjëherë pas ngritjes. Mes viktimave ishte edhe vëllai i Viswash-it, Ajay Ramesh.
Në Leicester të Anglisë, ku jeton familja Ramesh, atmosfera ishte e rënduar. “Ai ishte në shok,” tha Nayan Ramesh, vëllai tjetër i Viswash-it, i cili tregoi se menjëherë pas rrëzimit, Viswash kishte bërë një video-telefonatë me të atin: “Avioni ynë u rrëzua… Nuk kam asnjë ide se si dola jashtë.”
Mjeku indian Dhaval Gameti, që e ka ekzaminuar mbijetuesin, deklaroi për Associated Press se ai kishte lëndime të shumta dhe ishte i çorientuar, por jashtë rrezikut për jetën. Viswash është aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve, dhe i është rekomanduar pushim i plotë.
Rrëfimi i tij është një dëshmi tronditëse e mbijetesës në një prej aksidenteve ajrore më të rënda të viteve të fundit, që ka prekur thellë jo vetëm familjen Ramesh, por edhe komunitetin në Britani dhe Indi.