Ndahet nga jeta regjisori i njohur Leka Bungo, ikona e teatrit dhe filmit shqiptar

Regjisori i njohur shqiptar Leka Bungo është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare. Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur familjarët përmes një njoftimi në rrjete sociale.

Ceremonia mortore do të zhvillohet këtë të mërkurë, më 11 qershor, në orën 16:00, në varrezat e Sharrës, ku ai do të përcillet për në banesën e fundit.

Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe është vlerësuar si një nga emrat më të rëndësishëm të artit shqiptar. Ka kontribuar në teatër, film dhe televizion, duke lënë gjurmë të thella në jetën kulturore të vendit.

Ai u diplomua në shkollën “Aleksandër Moisiu” për aktorë dhe ndoqi një kurs regjie në Institutin e Lartë të Arteve. Ka punuar si regjisor në Teatrin “Bylis” në Fier dhe në Estradën e Shtetit, me vepra që përçonin mesazhe sociale dhe satirike.

Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat” pranë Teatrit Kombëtar. Në vitin 2002 emigroi në SHBA, por mbeti aktiv në fushën e artit me drama, skenarë dhe role kinematografike.

Spikati me rolin e Bardhylës në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990), ndërsa ndër veprat e tij më të njohura janë “Pabesia” dhe “Pas fasadës”.

Leka Bungo do të kujtohet si një prej figurave më përfaqësuese të artit skenik shqiptar.