“E padëgjuar më parë…” – Rama “shpërthen” ndaj gjyqtarëve: Duan t’i rrisin vetes pagat përmes gjykatës!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për rritje pagash, duke e cilësuar këtë nismë si një ndërhyrje të papranueshme në kompetencat e qeverisë.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Rama shkruan:

“Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë! Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022.”

Sipas Ramës, në atë kohë Unioni i Gjyqtarëve kërkoi që paga bazë e gjyqtarëve të barazohej me atë të një drejtori departamenti në Kryeministri ose me një përqindje të pagës së Presidentit. Kërkesa u pranua nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar një pagë bazë prej 156.000 lekësh për gjyqtarët.

Por kjo nuk ishte fundi. Pas rritjes së pagave të administratës në maj 2023, Unioni ka paraqitur sërish një kërkesë për rritje tjetër, kësaj here duke kërkuar që paga të lidhet vetëm me atë të një drejtori në Kryeministri, duke kërkuar një shtesë prej plot 700 eurosh.

Rama e konsideron këtë si një formë abuzimi dhe shkelje të parimeve kushtetuese:

“Domethënë, sipas Unionit, kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë ku gjykatësit do të caktojnë vetë pagat e tyre, jo me ligj, jo me qeveri, por me gjyq! Kjo është një komedi e hidhur që nuk mund të përsëritet.”

Kryeministri e mbyll reagimin e tij duke shprehur shpresën që Gjykata Kushtetuese të mos e përsërisë vendimin e vitit 2022, të cilin ai e cilëson si një “lajthitje” të pranuar dikur në heshtje, por që tashmë nuk mund të tolerohet më.

“Heshtja ndaj çdo abuzimi, në emër të mbështetjes për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne,” thekson Rama.