
Autoritetet italiane kanë zbardhur detaje të reja lidhur me plagosjen e rëndë të Fatos Cenajt, një 59-vjeçari shqiptar me banim në Itali, i cili ka shërbyer për shumë vite si oficer policie në Shqipëri. Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, më 8 qershor, rreth orës 08:00, në via Casoni Basse të komunës Fontaniva, në një zonë rurale.
Fillimisht u hodhën hipoteza se ai mund të ishte plagosur aksidentalisht nga ndonjë banor që po testonte një armë zjarri, por këto dyshime janë përjashtuar tashmë nga hetuesit. Sipas të dhënave më të fundit, dyshohet për një atentat të mirorganizuar nga një vrasës me pagesë, që e priti Cenajn teksa ky i fundit udhëtonte me biçikletë drejt fermës ku punonte, vetëm dy kilometra larg banesës.
Pista kryesore e hetimit fokusohet tek një automjet që i është afruar viktimës nga pas, duke krijuar kushtet për sulmin e befasishëm dhe largimin pa lënë gjurmë. Zona ku ndodhi ngjarja është e përshtatshme për veprime të tilla, çka ka forcuar bindjen se kemi të bëjmë me një skenar të mirëpërgatitur kriminal.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar autorin dhe motivin pas këtij atentati tronditës.