
Vlorë – Strukturat e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë intensifikuar kontrollet në terren, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, në kuadër të garantimit të rendit dhe sigurisë publike.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në lagjen “Pavarësia” të qytetit, u finalizua me sukses një operacion për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë një 17-vjeçar, banues në Vlorë, i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qytetit. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën dhe sekuestruan 39 doza lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa dhe 18 doza kokainë, të ndara gati për shitje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë kryen arrestimin e të miturit, i cili akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.