Tentoi të fuste në Shqipëri 45 600 euro të padeklaruara, procedohet 43-vjeçari në Portin e Vlorës

Vlorë – Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Vlorë, në bashkëpunim me autoritetet doganore, kanë intensifikuar kontrollet në hyrje dhe dalje të vendit, me qëllim parandalimin e krimeve ndërkufitare dhe paligjshmërive në kufi.

Si rezultat i këtyre kontrolleve të imtësishme, u godit një rast i mosdeklarimit të një shume të konsiderueshme parash. Gjatë kontrollit në vijën e dytë, në automjetin tip furgon të një shtetasi 43-vjeçar, u gjetën dhe sekuestruan 45 600 euro të padeklaruara.

Pas verifikimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë referuan materialet në Prokurorinë e Vlorës dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin K. R., 43 vjeç, i cili tentoi të fuste shumën në territorin e Republikës së Shqipërisë pa e deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme