Sylvinho: Letonia është ekip fizik, kemi avantazh me 24 lojtarë – ende nuk kam vendosur formacionin për sfidën e nesërme.

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, foli para sfidës me Letoninë në Riga, për kualifikueset e Botërorit. Ai pranoi se ende nuk e ka vendosur formacionin, duke theksuar se ndeshja e dytë brenda pak ditësh është gjithmonë më e vështirë për rikuperim dhe menaxhim.

“Ende nuk kemi vendosur për formacionin. Do t’i shohim stërvitjet e fundit. Kemi një avantazh – kemi 24 lojtarë nga ku mund të zgjedhim,” tha ai.

Sylvinho foli edhe për presionin në Kombëtare dhe rëndësinë e ndeshjes. “Letonia është një skuadër fizike dhe me më shumë përvojë se dy vite më parë. Luajnë futboll të kodifikuar dhe kanë metoda të qarta. Do jetë ndeshje e vështirë.”

Ai konfirmoi se Manaj mbetet titullar dhe shtoi se zgjedhja e ekzekutuesit të penalltive mbetet përgjegjësi e trajnerit.

Për Gjimshitin, Sylvinho shtoi se zëvendësimi do bëhet me kujdes, duke përmendur Adrian Bajramin si një opsion shumë të mirë për të ardhmen. Ai konfirmoi gjithashtu rolin e Mitajt si lojtar që i jep ekuilibër skuadrës.