SPAK thërret Sali Berishën më 10 qershor për sqarime pas kallëzimit të gjyqtares Irena Gjoka

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është thirrur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për t’u paraqitur të hënën, më 10 qershor, në orën 10:00, për të dhënë sqarime lidhur me një kallëzim të depozituar nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale komentoi thirrjen si pjesë e një praktike të njohur në sistemin e drejtësisë shqiptare. “Historikisht kështu ndodh rëndom me drejtësinë shqiptare: hajduti bërtet kapeni hajdutin”, shkroi ai në Facebook.

Detajet rreth përmbajtjes së kallëzimit ende nuk janë bërë publike, ndërsa pritet që Berisha të paraqitet nesër pranë ambienteve të SPAK për të dhënë shpjegimet e kërkuara. Kjo është një tjetër zhvillim në serinë e përballjeve ligjore të ish-kryeministrit me institucionet e drejtësisë.