
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar pasditen e së dielës në fshatin Ura e Shtrejt, Postribë, në Shkodër. Një 57-vjeçar është vetëplagosur aksidentalisht me një armë gjahu, të cilën e mbante me leje.
Sipas informacionit zyrtar nga policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:45 dhe personi i plagosur është identifikuar si shtetasi F. V. Aktualisht, ai ndodhet në Spitalin Rajonal të Shkodrës nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Autoritetet kanë nisur verifikimet për të kuptuar mënyrën se si ka ndodhur vetëplagosja dhe nëse janë respektuar të gjitha kushtet e sigurisë në përdorimin e armës së gjahut.